• ARSA

UDHEZUES rreth maceve

Updated: May 20

Urime për macen ose kotelen tuaj të re! Ky udhëzues është dizenjuar për t'ju përgjigjur disa prej pyetjeve më themelore dhe shqetësimet që mund të keni në lidhje me mikun tuaj të ri. Ne shpresojmë që ky udhëzues do të jetë i dobishëm për ju dhe ju urojmë lexim të këndshëm!

Sinqerisht,

ARSA




TEMAT E TRAJTUARA


Kotelet

Ushqimi

Nevojat Personale

Shëndeti

Lojra


Macja e Rritur

Shtëpia e saj e re

Ushqimi

Prezantimi i maces së re me macen e parë

Shëndeti


Tema Speciale

Sindromi High Rise

Sterilizimi




KOTELET

Kotele e shpetuar nga rruga | ARSA | Maj 2020

Ushqimi Udhëzues bazik për ushqimin e koteleve:

• Ushqejeni kotelen me ushqim të posaçëm për kotele. Sigurohuni që është i përshtatshëm për moshën dhe statusin shëndetësor të koteles tuaj.

• Ushqime natyrore përfshijnë mish të papërpunuar. Ushqimi i papërpunuar duhet të jetë gjithmonë i freskët. Shmangni ushqyerjen me mish të papërpunuar për kotelet më të vogla se 20 javë.

• Përfshini rregullisht disa ushqime me lagështi në dietë (ushqim i blerë posaçërisht).

• Herë pas here mund të ushqeni kotelen me pulë të zier. Ju lutemi sigurohuni që ushqimi mos të ketë salcë me qepë ose substanca të tjera toksike të pranishme (shih më poshtë).

• Asnjëherë mos i jepni kocka të gatuara koteles sepse mund të thyhen gjatë përtypjes dhe të shkaktojnë dëme të brendshme.

• Llojet e ndryshme të peshkut si sardelet në konserve, ton apo salmon mund të ofrohen nganjëherë (bëni kujdes me halat e peshkut). Ju lutemi të mos ushqeni kotelen me peshk shpesh.

• Siguroni që kotelja të ketë ujë të freskët në dispozicion gjithmonë.

• Kotelet duhen ushqyer të paktën 4 herë në ditë.

• KUJDES!!! Mos e ushqeni kotelen me këto gjëra: qepë, hudhër, çokollatë, kafe apo produkte me kafeinë, brumë buke, avokado, rrush, arra duke përfshirë grurin. Fruta, fara frutash, domate, kërpudha, peshk vazhdimisht, kockat e gatuara, copa të vogla të kockave të papërpunuara ose stoli yndyrore.

Ku urinon dhe defekon kotelja ime?

Ka shumë lloje të ndryshme të kutive me rërë, por në thelb ju keni nevojë për një kuti që i jep mjaft vend koteles tuaj të lëvizë, gjithashtu kutia duhet të ketë anët mjaft të ulëta që kotelja juaj të mund të hyjë lehtë.


Rëra

Ka shumë lloje rërash komerciale në dispozicion, ju duhet të eksperimentoni dhe të përdorni atë që funksionon më mirë për macen tuaj. Shmangni rërat aromatike.

Njerëzit mund të pëlqejnë erën e rërës aromatike por maceve nuk u bën mirë.


Si ta trajnoj kotelen të përdorë kutinë me rërë?

Me kujdes vendosni kotelen tuaj në kutinë me rërë disa minuta pasi ai ka mbaruar së ngrëni dhe dy minuta pasi ai është zgjuar nga gjumi. Macet nga instinkti preferojnë ta mbulojnë urinën e tyre. Instinktet e tij do bëjnë që ai të fillojë të gërmojë në rërë dhe pas disa minutash ai do ta kuptojë vetë se cfarë duhet të bëjë në kuti.

Pastrimi

Sigurohuni që kutia me rërë të jetë gjithmonë e pastër. Macet nuk pëlqejnë të përdorin kutitë e pista. Rëra duhet ndërruar përditë. Një herë në dy javë, kutia duhet larë tërësisht.




Shëndeti

Kotele te shpetuara nga rruga | ARSA | Prill 2020

Vaksinimi konsiderohet si një nga mënyrat më të lehta për të ndihmuar kotelen tuaj të jetojë një jetë të gjatë, të shëndetshme. Ka vaksina të ndryshme për sëmundje të ndryshme dhe kombinime të vaksinave per të cilat duhet të diskutoni me veterinerin.

Kur duhet të vaksinohet kotelja ime?

Kotelet marrin automatikisht antitrupat nga qumështi i nënës. Këta antitrupa ndihmojnë në mbrojtjen kundër sëmundjeve infektive derisa sistemi i koteleve zhvillon imunitet. Kur kotelja është rreth gjashtë deri në tetë javëshe, veterineri juaj mund të fillojë të administrojë një seri vaksinash në intervale tre-katër javore deri sa kotelja arrin 16 javëshe.

Çfarë shenjash klinike mund të shfaqen pasi kam vaksinuar kotelen?

Në shumicën e rasteve, kotelet nuk shfaqin simptoma nga vaksinimi. Reagimet ndaj vaksinës janë zakonisht të vogla dhe jetëshkurtra. Shënjat klinike përfshijnë:

• Temperaturë

• Ngathtësi

• Humbje e oreksit

• Të vjella

• Diarre

• Enjtje dhe skuqje përreth vendit të injektimit



Lodra për Kotelet

Kotelet në javët e tyre të hershme luajë me pothuajse çdo gjë. Ju mund të doni të blini shumë lodra por mos harroni, ato mund të jenë po aq të lumtur duke luajtur me një top prej letre i cili koteles mund ti ngjajë me një mi. Një kujdes i rëndësishëm në këtë moshë: mos e lini kotelen tuaj të luajë me duart tuaja sepse mund të zhvillohen zakone të këqija ku ajo vazhdon t'ju gric me thonj dhe ju kafshon edhe kur rritet. Duart përdorini vetëm për të ledhatuar kotelen, lodrat janë për të luajtur.


Pse të luash?

• Duke luajtur me macen tuaj e lejon ate të zhvillojë aftësitë e saj të gjuetisë.

• Ushtrimi nga e luajtura ndihmon kotelen tuaj të mbajë një peshë të shëndetshme.

• Eshtë një mënyrë pozitive për lirimin e energjisë negative apo agresivitetit.

• Forcon lidhjen midis maces dhe ju.

• Është zbavitëse!

MACET E RRITURA

Mace e rritur e shpetuar nga rruga | ARSA | Shkurt 2020

Ju, i/e dashur adoptues keni bërë gjënë më të mirë duke adoptuar një mace në moshe të madhe dhe ne jemi shumë mirënjohes! Shumë pak njerëz adoptojnë mace të rritura duke preferuar kotelet po ju keni marrë një vendim shumë human dhe macja juaj e re do ju sjellë aq më shumë kenaqësi për këtë arsye.


Para se të sjellësh në shtëpi Macen tende:

Macet janë territoriale, dhe duke ardhur në një shtëpi të re, ato ndihen me vërtetë të shqetësuara. Eshtë një ambient i ri, dhe kush e di se çfarë mund të rrijë aty? Bëjini asaj një nder duke i siguruar një zonë të vogël të sajën sidomos gjatë ditëteve të para. Një banjo, dhomë, lavanderi ose dhomë gjumi rezervë do të funksionojë mirë. Furnizoni dhomën me sendet e maces si ushqim, ujë, lodra, vend për tu kruajtur dhe një kuti me rërë.

Në një cep të dhomës krijoni një vend ku të vendosni tasin me ujë dhe tasin me ushqim. Kjo duhet të jetë larg kutisë me rërë.

Thonjtë e maceve duhen të shkurtohen herë pas here. Ato e bëjnë vetë këtë duke gërvishtur mbi gjëra. Kjo është një sjellje normale për macet por ju do preferonit që mos ta bejnë kete në mobiljet tuaja prandaj duhet ti jepni maces një hapësirë të veçantë ku ajo mund të gervishtë.


Një “scratch post” si kjo në foton më lartë është zgjidhje ideale për ju dhe për macen tuaj. Macja në fillim nuk e di se cfarë ështe ajo dhe ndoshta do të preferojë divanin. Këtu duhet të bëheni vigjilent dhe në momentin që i vendos thonjtë në divan, thuaj me zë te lartë “JO” dhe pastaj cojeni te scratch post duke ia vëne putrat mbi të. Kur macja e përdor atë, ështe momenti që ta lavdëroni dhe ta përkëdhelni në mënyrë që ajo ta kuptojë që po bën një gjë të mirë. Shumë shpejt ajo do ta kuptojë. Në asnjë mënyre mos e qëlloni macen kur ajo bën të kundërtën dhe përdor divanin, thjesht ngrini zërin, macet janë mjaft të ndjeshme dhe e kuptojnë menjëherë kur kanë bërë gabim.



Dita e parë: Tani çdo gjë është gati për ta sjellë macen tuaj në shtepi.

Kur të mbërrini në shtëpi, menjëherë mbylleni macen në një dhomë të qetë ku janë dhe të gjitha sendet. Këto duhet të përfshijnë: një kuti me rërë, tasin me ushqim, tasin me ujë, lodra dhe një scratch post. Merrni macen dhe çojeni te kutia me rërë që ajo të mësojë menjëherë se ku duhet të shkojë. Në qoftëse ajo del jashtë, mos e vendosni sërish atje sepse ajo do ta zbulojë përsëri kur të ketë nevojë për të.

Dilni nga dhoma dhe lëreni për 15 minuta vetëm që të mësohet me rrethinat e saj të reja.

Uluni në dysheme dhe lëreni macen të vijë vetë te ju. Mos e detyroni atë. Në qoftëse ajo nuk ju afrohet, lëreni dhe provojeni përsëri më vonë. Disa mace janë të frikësuara, dhe mund të futen poshtë krevatit ose në vende të fshehta dhe të mos dalin derisa ju të ikni. Kjo ndodh kryesisht me mace qe s’kanë besim ndaj njerëzve për arsye se mund të kenë qenë keqtrajtuar nga njerëzit në rrugë ku ka jetuar. Bëhuni të duruar sa të mësohet dhe të fitojë besimin tuaj, nuk do jetë gjithmonë kështu.

Ushqimi

Edhe pse është e pranueshme që ta ushqesh macen me një përzierje të ushqimit të lagësht dhe të thatë, është e rekomanduar që maceve t’u japësh një dietë me ushqime të thata vetëm. Një ushqim i plotë i thatë është një dietë optimale për macen tuaj sepse ajo siguron të gjithë përbërësit e ushqimit lagësht/thatë, më i mirë si për dhëmbët e saj edhe për sistemin e tretjes. Mos harroni të lini një tas të madh me ujë të freskët gjithmonë.

Kur ndryshoni dietën e maces, duhet ta bëni atë gradualisht. Gjatë një periudhe prej disa javësh, ulni sasinë e ushqimit te lagësht dhe rrisni sasinë e ushqimit të thatë. Një ndryshim në dietë shumë shpejt mund të shkaktojë diarre.

Si të prezantoni macen e re me macen e parë

Lëreni macet të njohin njëra-tjetrën në mënyrën e tyre. Bëjeni këtë në ditën e dytë. Hapni derën e dhomës ku është macja e re ngadalë në mënyrë që ato mund të shohin njëra-tjetrën, por nuk mund të prekin njëra-tjetrën. Ato mund të fillojnë të mjaullijnë dhe të shfaqin shenja territorializmi. Kjo është normale. Kurrë mos i lini macet vetëm, duhet të mbikëqyrni takimet e tyre të para. Mund të duhen disa ditë deri në disa muaj para se macet mund të arrijnë një marrëveshje! Asnjëherë mos i nxitoni.

Për të evituar grindjet midis maceve, tasat e ujit dhe të ushqimit duhet ti kenë të vecanta, mos i ushqeni nga i njejti tas. Disa ekspertë rekomandojnë të paturit dy kuti me rërë, një për secilën mace. Gjithmonë sigurohuni që ti jepni atyre vëmendje të barabartë në mënyrë që ato të mos bëhen xheloze për njëra-tjetrën.





Shëndeti

Macet duhen të mjekohen kunder krimbave çdo 3-6 muaj. Kjo bëhet te veterineri dhe është proces i shpejtë dhe i lirë. Flisni me veterinerin tuaj për cdo vaksinë që mund t’i duhet maces si dhe për cdo shqetësim tjetër që mund të keni. Kur nuk jeni të sigurt për dicka, mos hezitoni të shkoni te veterineri!




Tema Speciale

Nëse keni adoptuar një mace të rritur, ajo duhet të qëndrojë në ambiente të mbyllura për të paktën një muaj ose më gjatë nëse është e mundur, për të parandaluar ikjen e tyre. Duke e mbajtur në ambiente të mbyllura macja do të identifikojë shtëpinë si territorin e saj që duhet mbrojtur. Duke e lënë jashtë, ajo mund të iki dhe mundësia është e madhe është që nuk do të kthehet më.

Sindroma e ndërtesave të larta

Kur vjen vera, shumë njerëz, përfshirë dhe ne që mbajmë mace, hapim dritaret me dëshirë për të shijuar motin e mirë. Për fat të keq, në mënyrë të pandërgjegjshme ne mund ti rrezikojnë miqtë tanë katërputroshë. Dritaret pa rrjeta janë një rrezik i vërtetë për macet, të cilat bien nga to aq shpesh sa që veterinerët kanë një emër për këtë fenomen – Sindroma e Ndërtesave të Larta. Gjatë muajve të ngrohtë, veterinerët në Spitalet Veterinare në Amerikë hasen me mesatarisht tre deri në pesë raste të tilla në javë. Këto rënie mund të rezultojnë në nofulla të shpartalluara, mushkëri të shpuara, gjymtyrë dhe pelvise të thyera, madje edhe në vdekje.



Fakte të shpejta: Sindroma e Ndërtesave të Larta

Macet kanë instinkte mbijetese të shkëlqyera dhe ato nuk “hidhen” qëllimisht nga vende të larta që mund të jenë të rrezikshme. Shumica e maceve bien aksidentalisht nga dritaret e ndërtesave të larta, tarracat. Macet kanë aftësi të shkëlqyera për të përqëndruar vëmendjen në gjithçka që i intereson. Tërheqja ndaj një zogu apo kafshe tjetër mund të jetë mjaftueshëm shpërqendruese që t’i shkaktojë atyre humbje ekuilibri dhe rënie. Meqënëse macet nuk kanë frikë nga lartësia dhe pëlqejnë të qëndrojnë në lartësi, njerëzit shpesh hamendësojnë që ato mund të kujdesen për veten e tyre. Megjithëse macet me kthetrat e tyre mund të kapen në lëvoret e pemëve dhe sipërfaqe të tjera si parvazet e dritareve, ndërsa betoni apo sipërfaqet e tullave janë më të vështira.

Kur macet bien nga vende të larta ato nuk bien në këmbët e tyre. Në fakt, ato bien me këmbët e tyre pak të hapura, gjë që mund të shkaktojë plagë serioze në kokë dhe pelvis.

Është ide e gabuar që macet nuk lëndohen nëse ato bien nga ndërtesa një ose dy-katëshe. Ata mund të rrezikojnë më shumë kur bien nga distanca më të shkurtra sesa nga lartësi mesatare apo të larta. Distancat e shkurtra nuk u japin atyre mjaftueshëm kohë për të rregulluar pozicionimin e trupit në mënyrë që të bien në rregull.

Mbani mend që kur macet bien nga ndërtesa të larta, ato mund të përfundojnë në trotuare apo rrugë që janë të rrezikshme dhe jofamiljare për to. Asnjëherë mos hamendësoni që kafsha nuk i ka mbijetuar rënies; menjëherë çojeni atë në spitalin më të afërt veterinar apo tek veterineri i saj. Macet të cilat bien nga lartësitë kanë mundësi të mbijetojnë në 90% të rasteve, nëse ato marrin mjekimin e duhur menjëherë.

Sindroma e Ndërtesave të Larta është 100% e parandalueshme.

Që ta ruani macen tuaj gjatë verës, ju rekomandojmë që të ndërmerrni masat e mëposhtme:

Që të ruani kafshët tuaja, ju duhet të instaloni rrjeta mbrojtëse të forta në të gjitha dritaret tuaja. Nëse keni rrjeta të lëvizshme, sigurohuni që ato janë të shtrënguara mirë në kornizën e dritares suaj.

Kujdes: Macet mund të kalojnë përmes dritareve të siguruara për fëmijë – ato nuk sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme!

Njerëzit që mbajnë mace duhet të sigurohen që t’i mbajnë ato brenda për t’i mbrojtur nga rreziqe të tjera si makinat, kafshët e tjera dhe sëmundjet. Njerëzit që duan të simulojnë ambiente të jashtme për macet e tyre mund të përdorin rrethime të plota të kopshteve apo taracave me rrjetë.



Sterilizimi shpëton jetën!!!

Nuk është mit, ka një mbipopullim me kafshë të padëshiruara në shtetin tonë. Çdo vit me qindra qen dhe mace përfundojnë të pastreha nëpër rrugët e qyteteve shqiptare dhe fatkeqësisht nuk ka mjaftueshëm njerëz që t’i adoptojnë ata.

Shumë kafshë përfundojnë në rrugë pasi braktisen nga familja e tyre, dhe ndërkohë që një pjesë e vogël shpëtohen, pjesa më e madhe vuajnë rrugëve pa pasur dikë që të kujdeset për ta. Sterilizimi i kafshëve parandalon lindjen e tyre aksidentale dhe është mënyra më efiçente dhe humane për të shpëtuar jetë kafshësh.

Përfitimet për ju dhe kafshën tuaj shtëpiake

Miku juaj do jetojë më gjatë, më i shëndetshëm dhe ju do keni më pak kokëçarje nëse e sterilizoni atë. Sterilizimi redukton ose eliminon:

Mundësinë e kancerit të gjoksit dhe infeksioneve të rrezikshme të mitrës në femra dhe problemet me prostatën dhe kancerin testikular në meshkuj.

Bezdisjen për t’i rezistuar nevojës natyrale për t’u çiftuar. Miku juaj do jetë më pak i shpërqendruar, më lehtësisht i trajnueshëm dhe një pjestar më i përqendruar i familjes tuaj.

Nevojën e kafshës për të “bredhur” në kërkim të një partneri, duke zvogëluar shanset që ai/ajo të humbë, të përfshihet në zënka me kafshë të tjera apo të aksidentohet nga ndonjë makinë.

Ciklet bezdisëse të nxehtësisë në femra dhe tërheqjen e meshkujve të padëshiruar.

Tendencën për të kafshuar. Megjithatë kafsha juaj shtëpiake do të vazhdojë të jetë protektive ndaj shtëpisë dhe familjes së tij edhe pas ndërhyrjes. Agresiviteti është i ndryshëm nga tendenca për të qënë protektivë.

Spërkatjen, vajtimin, përcaktimin e territorit dhe afrimet e papërshtatshme seksuale ndaj njerëzve apo objekteve

Shpenzimet për ushqim shtesë dhe kujdesin tek veterineri në raste shtatëzanie

Çfarë është sterilizimi?

- është heqja kirurgjikale e organeve riprodhuese të kafshëve femra në mënyrë që ato të mos ngelen shtatëzënë

- është heqja kirurgjikale e testikujve të kafshëve meshkuj në mënyrë që ata të mos riprodhojnë femrat

Ndërhyrjet kryhen nga një veteriner ndërkohe që kafshët janë nën efektin e anestezisë së përgjithshme në mënyrë që ato të mos ndjejnë dhimbje. Kafsha mund të përjetojë bezdisje pas operacionit por pjesa më e madhe e veterinerëve ju mundësojnë ilaçe për të shmangur dhimbjet.

Rekomandojmë që të gjithë njerëzit që kanë kafshë shtëpiake t’i sterilizojnë ata sa më shpejt të jetë e mundur. Macet mund të ngelin shtatezënë që pesë muajshe dhe qentë që gjashtë muajsh dhe secili mund të ketë 2-3 shtatëzani në vit. (nga 4 deri në 8 kotele/këlyshe cdo shtatëzani)!!!

Disa mite:

Kundështarët e kësaj praktike citojnë disa arsye për të mos sterilizuar kafshët.

Ndër to:

“ Kafsha shtëpiake do shëndoshet”

- Ushqimi i tepërt dhe mungesa e aktivitetit bën që një kafshë të shëndoshet. Nëse monitoroni ushqimin dhe nxisni aktivitetin kafshët tuaj do mbeten në formë.

“Ai është racë e pastër kështu që nuk mund të sterilizohet”

- Edhe kafshët që janë racë e pastër mund të ngelen të pastreha. Edhe kafshët që janë racë e pastër mund të kontribuojnë në problemin e mbipopullimit me kafshë.

“Do gjej shtëpi të mira për kotelet/këlyshët”

- Nëse secila nga shtëpitë që janë të gatshme të mirëpresin pasardhësit e kafshës tuaj, do të adoptonte një kafshë të pastrehë, atëherë ju dhe ata do të shpëtonit jetë të kafshëve që e meritojnë dhe janë në pritje për një strehë.

“Kafsha ime është aq e veçantë saqë dua edhe një tjetër fiks si ajo”

- Nuk ka garanci që këlyshët dhe kotelet do të trashëgojnë cilësitë më të mira të prindërve të tyre. Në fakt, ata lehtësisht mund të trashëgojnë edhe cilësitë negative të tyre.

Sa kushton?

Kostot e sterilizimit variojnë nga pesha, mosha dhe gjinia e kafshës tuaj, nëse kafsha juaj ka nevojë për vaksinim dhe medikamente të tjera. Gjithsesi është e rëndësishme të mbani mend që kjo është një kosto e cila do të bëhet vetëm një herë krahasuar me përfitimet e shumta që sjell për ju dhe kafshën tuaj.

Në Shqipëri, kostot janë pak a shumë:

Mace

Femër = 6000 lek

Mashkull = 4000 lek

Macet dhe pushimet

Nëse i konsideroni kafshët si një pjesë të rëndësishme të familjes ,vetëm mendimi për të shkuar me pushime pa to është i papërballueshëm. Kjo varet nga destinacioni i vendit të pushimeve por edhe nga temperamenti apo personaliteti i maces. Ju mund të keni mundësine për ta marrë macen me vete por merrni në konsiderate nëse ai ose ajo janë të sigurt dhe të mësuar që të dalin jashtë (me ju), plus që duhet të siguroheni që nëse macja ose macoku juaj do ti shijojë llojet pushimeve qe ju keni në mendje. Shumica e akomodimeve miqësore për kafshet zakonisht janë më të përshtatshme për qentë sesa për macet, prandajduhet të siguroheni që të merrni informacion për këto struktura përpara se ti vizitoni.

Llojet e alternativave gjatë pushimeve:

• Nësë do ta coni macen tuaj në një strukturë për mace(Catery) sigurohuni që të kontrolloni për cdo opsion në mënyrë që të jeni i bindur. Pyesni pronarë të tjerë macesh apo edhe veterinerin për rekomandime dhe keshilla, lini një takim për të parë këto struktura që ju po konsideroni të lini macen. Mbani shënim për aromat(erërat), pastërtinë, shërbimi që ofrojnë, sjellja e stafit dhe vini re nëse kafshet që po qëndrojnë atje duken të lumtura dhe nëse ata po kujdesen mirë.

• Mund të jetë e preferueshme që ta lini macen në shtëpi. Gjëja e mirë tek macet është se ato nuk janë aq të varura nga ju sic janë qentë, dhe ju nuk keni nevojë që t'i mësoni ato se si të jenë të pavarura. Një mik, një i afërm, apo një fqinj mund të vijë 2 herë në ditë që ta ushqejë apo t'i hedhë një sy maces tuaj. Nëse ky nuk është një opsion për ju atëherë mund të kërkoni për qendra që ofrojnë shërbimin e kujdesjes së kafshëve(madje shumë prej tyre mund t’ju hedhin edhe një sy kopshtit të luleve dhe postës tuaj ndërkohë që ju nuk jeni aty) Përsëri ju sugjerojmë që të konsultoheni me miq ose me veterinerin i cili mund t’ju këshillojë më mirë.

• Sekreti i pushimeve të lumtura qëndron në planifikimin - prandaj sa më shpejt aq më mirë. Sigurohuni që t’i keni ndjekur të gjitha hapat më poshtë përpara se të niseni.

• Prenotoni një qendër kujdesi apo strukturë përpara se të niseni me pushime. Kjo pikë ka rëndësi të madhe në mënyrë që pushimet tuaja mund të koicidojnë me pushimet zyrtare të caktuara nga shteti.

• Sigurohuni që të keni kryer vaksinimin dhe pastrimin nga parazitët përpara se të ndaheni, në menyre të veçantë nëqoftëse po e lini atë në një strukturë për mace. Shumë nga keto struktura preferojnë qe macet të jenë vaksinuara 2 javë më parë, përpara se të vijnë për të qëndruar dhe pronarit ju kërkohet nje certifikatë vaksinimi si provë.

• Gjithnjë sigurohuni që të transportoni macen tuaj në mënyrë të sigurt me kafazet e posaçme për transportimin e maceve. Eshtë një ide e mirë që ti merrni me vete mbulesën e preferuar apo jastekun e preferuar, do ta ndihmojë atë të ndihet si në shtëpi në këtë ambjent të rri që e rrethon. Nëqoftëse keni kërkesa të vecanta në lidhje me ushqimin apo në raste se ka nevojë per trajtim me medikamente, mos harroni që t’ja bëni të ditur stafit dhe të paketoni çfarë do lloj gjëje që është e nevojshme. Lini numrat e kontaktit tuaj por edhe të veterinerit (apo të ndonjë miku në rast se ju do te jeni i pakontaktueshëm) dhe ai do të kujdeset për të. Në qoftë se ju do të shkoni për pushime përtej oqeanit atëherë lini një autorizim të shkruar dikujt, i cili në rast se do të ndodhë dicka ai do të marr çdo vendim të nevojshem për macen gjatë mungesës tuaj.

• Nuk ka rëndësi nëse macja rri në shtëpi apo udhëton me ty apo është lënë në një hotel për macet, duhet që me patjetër të ketë në qafë varësen me informacionet të zotit. Në qoftë se lihet një numër telefoni nuk ka kuptim në qoftë se personi nuk do te jetë aty. Në qoftë se e merr me vete macen sigurohu që në kollaren që vesh është numëri telefonit ku do të qëndroni. Tip: Në 3 netet e fundit përpara se të ikni vishni të njëjtën bluzë dhe vendoseni në krevatin e maces, ashtu të palarë, në mënyrë që macja të ndjejë erën tuaj kur nuk jeni. Kjo do ta bëj që të ndihet mirë.

• Udhëtimi me macet - shumë mace nuk kanë dëshirë të madhe për të udhëtuar dhe largimi e një maceje nga siguria që ajo ndjen në shtëpinë e saj i shkakton stres. Kam takuar shumë pak mace që nuk ju bën përshtypje zhurma, udhëtimet me makinë dhe ndërrimi i ambjenteve dhe për këtë arsye këshillohet që macet mos të merren në pushime sepse do krijojë probleme për të dyja palet, macen dhe padronin.

• Nuk keshillohet asnjeherë që macja të lihet jashtë në një ambient të ri pa një lidhëse. Macet mund të frikësohen shumë lehtë dhe të ikin nga shtëpia.

• Ka shume mace që nuk kanë probleme me udhetimin në makinë apo avion dhe ju pëlqen ambienti i ri. Këto janë mace që kur kanë qenë të vogla kanë udhëtuar dhe janë mësuar të shoqërohen me mace të tjera.



Kujdesje bazike për felinët -Material i përgatitur nga PETCO


Kotele e shpetuar nga rruga | ARSA | Maj 2020

• Kurioziteti i një maceje mund ta fusë atë në shumë telashe. Si "zotëruesi i saj", është përgjegjësia juaj që të mundësoni që ambienti i saj në shtëpi të jetë i sigurtë.

• Si ta njohim rrezikun?

• Kur shikoni përreth në shtëpinë tuaj ju mund të mendoni që çdo gjë është e sigurtë. Por ju dhe macja juaj mund të keni këndveshtrime të ndryshme mbi çfarë mund të konsiderohet si lojë apo ushqim i shijshëm. Kur siguroni shtëpinë për macen, mundohuni ta shikoni atë nga prespektiva e maces tuaj. Përkuluni në lartësinë e vijës së shikimit të maces tuaj dhe hidhini një sy asaj çfarë mund të shohë macja juaj. Vështroni përreth për çdo rrezik të fshehur që mund t’i kanoset maces tuaj. Thjesht përdorni logjikën (praktikën) dhe ndërmerrni të njëjtat masa parandaluese që do të merrnit për fëmijën tuaj.

•Rreziqet kimike më të hasura

•Shumica prej nesh kanë në shtëpinë e tyre kimikate të ndryshme toksike që përdoren për pastrim. Helmimi kimik ndodh më shpesh në rastet kur macet:

•Pijnë një substancë të prishur

•Pastrojnë një substancë kimikë nga pushi i tyre

•Hanë një insekt/kafshë të helmuar

• Disa artikuj nga të cilët duhet të kemi kujdes

•Antingrirja (Antifreeze) që përmban ethylene glycol ka një shije të ëmbël që tërheq kafshët por është vdekjeprurëse nëse konsumohet

•Kimikate që përdoren nëpër oborre si fertilizator apo ushqim për bimët

•Helm për brejtësit apo insekticidet janë burimet kryesore të helmimit

•Kripra për shkrirjen e borës dhe akullit janë irrituese për putrat dhe mund të jenë helmuese nëse putrat lëpihen

•Rreziqet ushqimore më të hasura

•Trupi I një maceje është mjaft I ndryshëm nga I njeriut. Artikuj ushqimor që mund të jenë të nevojshëm për njerëzit mund të jenë toksikë për macet. Është mirë që të mos I ushqeni macet me mbetjet e ushqimeve (të mbetura nga dreka/darka). Disa artikuj që duhen mbajtur mend janë:

•Çokollata, rrushi dhe rrushi i thatë janë toksikë për macet

•Medikamente për njerëzit si analgjezikët, mjekime për ftohjen, vitamina, ilaçe për dietë dhe mjekime të tjera mund të jenë të gjitha toksike për kafshët

•Mbetje ushqimore si kocka pule janë lehtësisht të shpërbëshëm dhe mund të shpojnë apo mbysin një mace

•Rreziqet më të hasura nga artikujt shtëpiakë

•Objekte të cilat mund të duken jo të dëmshëm mund të kthehen në rreziqe për macen tuaj nëse përdoren në mënyrë të papërshtatshme, ose nëse gëlltiten aksidentalisht. Disa nga objektet më tërheqëse për macet mund të jenë më të rrezikshmet. Letrat e aluminit, tapat prej druri apo topa qesesh janë tmerrësisht tërheqëse për macet por janë gjithashtu edhe rrezik për mbytjen e tyre. Disa artikuj që janë të rrezikshëm përfshijnë:

•Fije, llastiqe, monedha apo edhe filli dentar janë lehtësisht të gëlltitshëm dhe mund të shkaktojnë bllokime intestinale dhe bllokim/mbytje

•Lodra me pjesë të montueshme (lodra plastike që mund të shtrydhen apo pellushë me sy plastikë dhe fjongo) mund të jenë rrezik mbytjeje për macen tuaj. Si rregull, gjithmonë përdorni lodra më të mëdha se një top ping-pongu për macen tuaj për të shmangur mbytjen.

•Karrige apo mobilje që hapen/palosen mund të jenë të rrezikshme për macen nëse ajo vendos të struket për të fjetur ndërkohë që dikush vendos t’i hapë ato

•Vende të ngrohta si tharësi i rrobave mund të jetë i rrezikshëm nëse lihet hapur, pasi ky mund të jetë një vend perfekt për të fjetur për macen

•Lodrat prej pellushi nëse shqyhen mund të jenë të rrezikshme për macen

•Bimë ornamentale që mund të jenë helmuese për kafshët


Listë kontrolli për sigurinë shtëpiake

Brenda shtëpisë:

• 1.Sigurohuni që të gjitha dyert të jenë të mbyllura

• 2.Sigurohuni që çdo derë për kafshët shtëpiake është e përmasave të duhura dhe e mbyllur si duhet

• 3.I mbani ushqimet e rrezikshme, si çokollata, në vende të paarritshme për macen tuaj

• 4.I mbani medikamentet, suplementet dietike dhe antibiotikët në vende të larta dhe të sigurta?

• 5.Sigurohuni që të gjitha mbeturinat në shtëpi janë të sigurta dhe të paarritshme

• 6.Sigurohuni që të gjitha mjetet e pastrimit të shtëpisë janë të paarritshme nga macja

• 7.I mbani të gjitha objektet e rrezikshme në vende të paarritshme nga macja

• 8.E mbani kapakun e tualetit të ulur dhe keni ndaluar përdorimin e produkteve sanitare për shkarkimin e tualetit

• 9.I keni larguar të gjithë objektet e mprehtë që mund të çajnë putrat apo gojën e maces tuaj

• 10.Keni vendosur shul (që përdoret zakonisht në childproofing të apartamenteve) në sirtaret që përmbajnë substance të rrezikshme në mënyrë që macja të mos I hapë ato

• 11.A jeni siguruar që macja të mos aksesojë dot bimët që mund të jenë helmuese

• 12.Keni hequr lodrat, si fije apo llastiqe, që mund të jenë të rrezikshme nëse gëlltiten

• 13.I keni vendosur pesticidet në vende të paarritshme nga macja apo jeni siguruar që I keni zëvendësuar ato me substance jotoksike

• 14.Jeni siguruar që sobat e nxehta janë të mbuluara apo që nuk ka objekte të mprehta mbi banak

• 15.Jeni siguruar që macja juaj ka lodra që mund t'i kafshojë në mënyrë që të mos kafshojë kavot/fijet elektrike apo objekte të tjera të rrezikshme


Çfarë duhet të bëni nëse macja juaj helmohet?

• Mbani një libërth për emergjencat e maceve dhe një kuti të ndihmës së parë në shtëpi. Mësojeni peshën e maces tuaj, meqënëse trajtimet mjekësore janë zakonisht proporcionale me peshën e kafshës.

• Nëse mendoni që macja juaj ka konsumuar ndonjë product të rrezikshëm, gjëja e parë që duhet të bëni është të përcaktoni substancën në fjalë. Lexoni përmbajtjen e produktit për listën e përbërësve dhe ndonjë instruksion për rastet e gëlltitjeve aksidentale. Merrni në telefon veterinerin tuaj menjëherë. Nëse do ju duhet të çoni kafshën tuaj shtëpiake tek veterineri, sigurohuni që të keni marrë me vete edhe produktin në fjalë, në mënyrë që të ndihmoni veterinerin që të kuptojë çfarë mund të ketë gëlltitur kafsha shtëpiake.

• Vëzhgoni simptomat e maces tuaj me kujdes. Nëse ajo po vjell apo ka diarre, mund t’ju duhet të merrni kampione të tyre që të ndihmoni veterinerin me diagnozën. Trajtimi do të variojë në vartësi të helmit, dhe sipas rastit, nëse është gëlltitur, nuhatur apo marrë përmes lëkurës.



© 2020 Animal Rescue Albania.

Zhvilluar nga pixelsbyab

  • ARSA Facebook
  • ARSA Instagram